giovedì 8 settembre 2011

Nje Mjek ne Barrele

Shkrimi i paraqitur me poshte eshte shkeputur nga  faqja "Peisazhe te Fjales" dhe titullohet "Nje Mjek ne Barrele":

Sapo lexova ne Shekulli qe ministri i Shendetesise Petrit Vasili paska bere nje aksident me makine, ku eshte plagosur, por jo rende.Me erdhi keq, sepse e njoh madje e kam pasur shok vite me pare, kur ishim te dy shoke gjimnazi; dhe me pas, kur kemi qene bashke gjate zborit tremujor te Rrapi i Trishit.



Aksidentet rrugore ne Shqiperi zakonisht nuk perbejne lajm, edhe pse aksidentet e ministrave gjithnje terheqin vemendjen, madje jo vetem te tabloideve qe orientohen ne informacion sipas eres se gjakut.Nga ana tjeter, kush aksidentohet, eshte njeriu jo posti qe mban.

Per Vasilin degjon shume kritika poshte e lart, edhe pse nuk di sa mund te mbaje ai drejtperdrejt pergjegjesi per gjendjen e mjeruar te mjekesise publike ne Shqiperi.Po te lexosh komentet ndaj lajmit, ne Shekulli, e ve re se njerezve nuk u ka shpetuar ironia e faktit qe nje minister shendetesie, i aksidentuar, detyrohet te marre ndihmen e pare ne nje nga spitalet e administruara prej tij.Nga komentet merr vesh, edhe nje here, se njerezve u ka ardhur ne maje te hundes nga menyra si administrohet shendetesia atje; madje disa e shohin edhe si nje fare ndeshkimi hyjnor per qeveritarin – jo aksidentin vete, por shtrimin e detyruar ne nje spital publik.

Nuk di sa mund ta perfaqesoje publikun ne Shqiperi dhe vetedijen qytetare faqja e komenteve te Shekullit, por me sa lexoj nuk mund veç te konstatoj se shemtia e qeverisjes, ne ate vend, po e shemton edhe publikun vete.Natyrisht, ketu ka gisht edhe redaksia e gazetes, e cila hap per komente nje lajm aksidenti – por te Shekulli komentohet gjithçka, duke perfshire edhe komentet vete. Gjithsesi, metonimia e nje ministri shendetesie qe shkon te mjekohet ne spitalin publik veshtire se mund te lihet pa u shfrytezuar.

A ka faj Vasili per katrahuren e shendetesise publike ne Shqiperi?

Patjeter, por gjithnje se bashku me kasten qe drejton administraten e atjeshme dhe filozofine qe e frymezon ate kaste – e cila mund te permblidhet ne dy-tre fjale: grykesia per pará. Nga ana tjeter, nuk mund te pritet qe nje sektor i sherbimeve publike si shendetesia, ndoshta me i veshtiri per t’u administruar dhe me i kushtueshmi per t’u mbajtur ne kembe, te shkoje mire ne nje shtet i cili kryesisht eshte ne sherbim te pushtetareve.Faji kryesor i Vasilit, si mjek dhe si njeri, eshte qe ka pranuar te jete pjese e ketij maskaralleku.Ai e njeh gjendjen e sherbimit shendetesor, sikurse e ka te qarte se ç’mund te beje, nje njeri i vetem qofte edhe minister, per ta permiresuar kete gjendje.Ai e ka te qarte se shendetesia ne Shqiperi nuk eshte me sherbim per publikun, por nje organizim paramafioz, per t’u rrjepur te semureve pará.

Nje mjek, qe i eshte futur asaj rruge me deshire dhe pasion, dhe qe ka bere betimin e Hipokratit, nuk mund te bashkejetoje natyrshem me ate sistem shendetesor dhe aq me pak te pranoje te vihet ne krye te tij.

Mjeku eshte nje fare prifti i trupit; dhe roli i tij ne jeten sociale vjen duke u rritur, krahas me zhvendosjen e vemendjes se masave nga shpirti te funksionet dhe manifestimet trupore. Paradoksalisht, kjo i ngarkon mjekut nje pergjegjesi morale te paimagjinueshme, ne krahasim me te shkuaren.Dhuna ndaj mjekeve, siç e kemi pare te ndodhe ne shume raste ne Shqiperi, eshte edhe pasoje e ketij zhgenjimi primordial, te femijes brenda nesh me autoritetin e fundit moral.

Po a mund t’i kerkosh nje ministri Shendetesie te luaje pjesen e kardinalit te nje kishe tashme te shkermoqur siç eshte mjekesia shqiptare? Jo, nuk ia kerkon dot. Veç mund t’i kerkosh, ne heshtje, nje miku te dikurshem qe te mos jete pjese e kesaj rrokullime – te refuzoje, ne emer te etikes se mjekut. Pavaresisht nga rrethanat, mjeku i mire ne Shqiperi ende mund te jetoje ne paqe me vetedijen e vet dhe t’u sherbeje te semureve, duke i qendruar larg korrupsionit, grykesise, mashtrimit, allish-verisheve, kuterbimit te parase. Kjo mund te kerkoje sakrifice, por kur nuk i eshte kerkuar ndonjehere mjekut te sakrifikoje diçka nga vetja, nga koha e lire, nga humori, nga familja, nga shkelqimi social?

Per fat te keq, rregjimi i shendetesise publike ne Shqiperi po ndodh gjate kohes kur politika shqiptare dominohet nga nje ish-mjek – Berisha. Qeveria e kryesuar prej tij po administron jo vetem shnderrimin e spitaleve ne magazina te vuajtjes dhe depozita mbetjesh njerezore, por edhe shkaterrimin kapilar te krejt sistemit te kujdesit shendetesor publik, i cili shkon pertej trekendeshit mjek-pacient-semundje.

Shendeti publik eshte çeshtje e kujdesit per gruan shtatzene dhe femijen, çeshtje e ushqimit te mire dhe e ujit te pishem te paster, çeshtje e ajrit te paster dhe mjedisit te ruajtur nga ndotjet, çeshtje e sportit dhe zhvillimit fizik, e lojerave dhe shetitjeve, e nje jete me sa me pak stres e sa me shume permasa. T’ia kerkosh te gjitha keto nje ministri Shendetesie eshte marrezi; por nje mjek si Vasili, qe i ka syte ne balle, duhej te kish refuzuar te behej pjese e ketij vandalizimi sistematik. Po te isha edhe une komentues i Shekullit, do te kisha verejtur se nje Shqiperi e semure, si kjo e tanishmja, nuk mund te kete shendetesi te shendetshme, pavaresisht nga deshirat dhe vizionet e ketij apo atij ministri dhe pushtetari. Çfare nuk e kuptoj, ne rastin e ministrit te tanishem, eshte si arrin te flere i qete naten, pasi informohet per “rezultatet” e punes se tij, si regjisor i rrokullimes dhe i shperberjes. Ndoshta edhe nuk fle dot mire; ndoshta edhe pagjumesia ka qene shkak i aksidentit.

Kam kujtime te mira nga miqesia e dikurshme, shpresoj dhe uroj ta marre veten shpejt, pa shume dhimbje dhe pa pasoja mbetese. Edhe pse nuk kam degjuar asgje te mire per punen e tij si minister, Vasili eshte mjek dhe gjithnje mund ta shlyeje te shkuaren, duke u sherbyer, kokulur, nevojtareve; qofte edhe ne nje azil te varfer te periferise… Ndonjehere aksidenti te detyron te rrish ne shtrat dhe te mendohesh – çfare pushtetaret tane nuk kane zakonisht kohe ta bejne.

Pergatitur nga Xha Xhai
Email kontakti : no.elevator@gmail.com
Per komente te shkrimit [Link]